Rreth meje

Dr.sc. Nusret Pllana ka lindur më 21 maj 1959 në Arbnesh të Prishtinës, është publicist kosovar.

Hasmdi Nusret Pllana shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen dhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Prej kohësh është marrë me veprimtari kulturore-artistike. Në vitin 1984 themeloi Ansamblin Artistik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, të cilin e drejtoi deri në vitin 1996.

Derisa ishte duke ndjekur studimet pasuniversitare për ekonomi në Zagreb, me kthimin në Kosovë, në vitin 1986 burgoset për veprimtari të paligjshme patriotike dhe dënohet me gjashtë vjet burgim të rëndë, prej të cilave i vuan pesë.

Pas daljes nga burgu, ai themeloi ndërmarrjen private për prodhimin e qilimave Teuta në Prishtinë. Ndërkaq, në vitin 1994 burgoset për herë të dytë, por kësaj radhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës. Ishte pjesëmarrës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe folësi i parë i Radios “Kosova e Lirë”.

Pas kthimit nga lufta ishte redaktor përgjegjës i Radios “Kosova e Lirë”. Ka qenë zëvendësministër dhe ministër i Kulturës i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës 1999-2000.

Ai ka udhëhequr sektorin e Arkivit të UÇK-së nga viti 2002-2006. Aktualisht është ligjërues në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Shkup dhe Tetovë. Masterin e kreu në Tiranë, në vitin 2005, me lëndën Masakrat Serbe në Kosovë 1989-1997.

Ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, më 1 shtator 2009, me temë: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, në departamentin e shkencave politike dhe administratës publike. Në vitin 2011 u botua në gjuhën angleze libri, Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, me recensues: Ambasadori Amerikan William G. Walker, Prof. dr. Christopfer GLHall dhe Prof. Julia Norrgard.

Librii tij Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 , i përkthyer në tetë gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, japonisht dhe suedisht, deri më tani është promovuar në këto qendra evropiane dhe botërore: Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkup, Oslo, Jovic, Stokholm, Kopenhagë, Katovicë, Budapest, Romë, Helsinki, Vjenë, Lion, Paris, Shtutgart, Dortmund, Singen, Nuremberg, Hechingen, Pforzheim, Hamm, Ludwigsburg, Helsingen, Heidelberg, Münheim, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Ankara, Stamboll, Izmir, Bursa, Nju Jork, Uashington, Florida, Detroit, Melburn, Toronto, Bearry, Bruksel, Berlin, Bolzano, Braunschweig, Londër, Münster, Düsseldorf dhe Montreal.

Është redaktor i librit Vriten engjëjt, të autores, Hanëmshahe Ilazi, 2012. Recensent i librit Abdyl Krasniqi – gjenerata frymëzuese, 2009, të autorit Prof. Bedri Tahiri, recensent i librit monografik Dëshmorët e Kombit – Mareci '99, i autorit Refik Gërbeshi, 2014, recensent i librit Familja Pllana – Halabak, 2012, i autorit, Prof. Shaban Pllana, recensent i librit monografik Masakra e Belegut, 2015, i autorit z. sc. Endrit Binakaj, redaktor i librit monografik Dëshmori student – Arianit Ilaz Berisha , i autorit Argjend Hasani, 2013, recensent i librit monografik Spahijajt e Llashticë, Prishtinë, 2014, recensent i librit Kapërcimshekulli, 2015, i autorit Musli Kabashi.

Libri i tij Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999, ka arritur të hyjë në bibliotekat më të njohura evropiane dhe botërore, si: Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, Biblioteka Botërore Victoria e Australisë, selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. , në Bibliotekën Botërore të Bajernit të Gjermanisë, në Akademinë Ushtarake të Bundesverit Gjerman, në Gjykatën e Hagës, në Bibliotekën Botërore të Britanisë së Madhe në Londër etj. Për librin Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999, në vitin 2013 ka marrë mirënjohje nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan dhe Biblioteka Botërore e Britanisë së Madhe në Londër, në vitin 2015. Është autor i dhjetëra punimeve shkencore.